I riu nga Lushnja shkon të armatoset për të sulmuar Policinë që i arrestuan familjen. Si u plagosën efektivja greke dhe shqiptari i shumëkërkuar

Dy ditë më parë, mediat greke bënë me dije se një shqiptar kishte sulmuar Policinë greke në zonën e Zografou e për këtë shkak, sulmit të tij një punonjëse Policie i ishte përgjigjur me armë.

Shqiptari ishte plagosur dhe më pas neutralizuar nga forcat speciale greke EKAM. Thuajse gjithçka u duk si një përplasje e një personi me probleme me ligjin me Policinë në një operacion për kapjen e tij, pasi Policia greke i atribuon shqiptarit një mori krimesh të rënda.

Mirëpo, përgjatë së djeshmes, kanë dalë në dritë detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë, e cila për fat, nuk ka shkuar më tej, pasi shqiptari nuk ka pasur armë me vete.

Ndonëse gjithçka është zhvilluar ditën për diell dhe në sytë e shumë kalimtarëve dhe në një nga lagjet më të njohura të Athinës, Policia greke doli pas 24 orësh dhe tregoi se djali shqiptar që plagosi punonjësen e Policisë greke është një kapobandë e njërës prej tri organizatave që janë të strehuar në godinat e vjetra të Universitetit të Politeknikumit.

Po përveç grupeve të fuqishme kriminale që jetonin në mes të lagjes, Policia greke ka shkuar edhe më tej. Ka akuzuar një aspirante për punonjëse Policie, vajza e një ish-efektivi të vrarë, kur ajo ishte vetëm 4 vjeç, e cila dyshohet sipas tyre që jepte informacione te grupet kriminale për lëvizjet e Policisë.

Gjithçka e nxjerrë nga Policia dhe mediat greke prej dy ditësh janë përgënjeshtruar nga nëna e vajzës, e cila ka folur publikisht duke mbrojtur fëmijën e saj me fakte dhe prova: “Po, unë e di! Është e lidhur me një djalë shqiptar dhe jam e lumtur se fëmija im është i sigurt! E di që është dashuri e pastër. Mbase ai djalë mund të jetë i përfshirë edhe në punë të tilla, por unë di që vajza ime është në provë dhe nuk ka se si ta dijë se kur do të hyjë Policia në operacione. Ajo po praktikohet te Trafiku rrugor”.

PO ÇFARË NDODHI VËRTET MES SHQIPTARIT DHE POLICISË

Quhet Esmin Ferhati, është 30 vjeç. Është baba i një fëmijë të vogël dhe jeton me familjen në Greqi prej shumë vitesh. Janë nga Plugu i Lushnjës dhe emri i tij doli në pah gjatë një operacioni për goditjen e grupeve kriminale që shpërndajnë lëndë narkotike në zonën e konsideruar si qyteza studentore. Ishte i kërkuar për një mori aktesh.

Policia ka hyrë në operacion njëherësh në vendqëndrimin e grupeve, ca godina të vjetra-konvikte dhe në banesat e personave të dyshuar. Por gjatë këtij operacion kontrolli, Policia mësohet se i ka shoqëruar nënën, bashkëshorten dhe fëmijën 1 vjeç shqiptarit. Ai ka marrë një kaçavidë dhe është nisur në drejtim të vendit ku mbante armë dhe më pas të shkonte në stacioni policor në Zografou.

Rrugës për te streha ku kishte armët, ai ka parë një punonjës policie. E ka goditur në krah duke e plagosur punonjësen e Policisë. E detyruar të neutralizonte, efektivja e Policisë nxjerr armën dhe e qëllon në këmbë. Shqiptari plagoset dhe plaset në tokë.

Më pas vijnë forcat speciale që e transportojnë në spital. Duke mos shpjeguar qartësisht se çfarë kishte ndodhur dhe shkakun që kishte çuar në këtë përleshje që për fat ka rezultuar pa pasoja të rënda si për policen greke ashtu edhe për shqiptarin, Policia greke tha për mediat se kishin arrestuar një superkriminel shqiptar, që njihej me pseudonimin ‘Esko’, që ishte trafikant droge, grabitës me armë dhe autor pengmarrjesh.

Më pas u bë me dije se në fakt në atë zonë, Policia vendase pretendonte se ishin tri grupe të fuqishme kriminale që merreshin jo vetëm me shpërndarjen e kokainës dhe të kanabisit, por kryenin edhe grabitje vilash, biznesesh dhe ishin edhe të dhunshëm.

Në operacion u thanë se u arrestuan 22 persona, prej të cilëve deri orëve të vona të së djeshmes janë mësuar vetëm emrat e shqiptarit dhe të një aplikanteje për efektive Policie, e cila do të betohej javën e ardhshme për të nisur punë në polici.

AKUZAT NDAJ FERHATIT

Shqiptari 30-vjeçar Esmin Ferhati, i arrestuar në Greqi, i njohur ndryshe si “Eskos”, kishte një grup me të paktën 10 anëtarë shqiptarë e grekë. Mësohet se u përfshi në botën e krimit nga xhaxhai i tij, i dënuar me burg të përjetshëm për një vrasje. Sipas mediave greke, “Esko” akuzohet për 5 vepra penale. E para ka të bëjë me rrëmbimin e djalit 17-vjeçar të një gazetari më 11 maj 2019. Grupi i tij dyshohet se kanë rrëmbyer të miturin nga zona e Zografou teksa po kthehej në shtëpinë e tij në Pagrati.

Ata e kanë goditur, i kanë vënë kapuç në kokë dhe e kanë dërguar në zonën ku qëndronin. Fëmija u mbajt peng për shumë orë nga grabitësit shqiptarë, të cilët i morën çelësat e shtëpisë për të grabitur. Në momentin e sulmit, në shtëpi ishin prindërit dhe vëllai i vogël.

Gazetari, në përpjekje për të mbrojtur familjen, është përleshur me banditët, por ata e rrahën dhe e plagosën me thikë. Një nga autorët u vu në pranga rreth 8 muaj pas ngjarjes.

“Esko” nuk ishte arratisur në Shqipëri, por kishte gjetur strehë në godinën e vjetër të Universitetit Politeknik të Athinës “Zografou”. Akuza tjetër ka të bëjë me vjedhjen e disa pajisjeve në universitet me vlerë mbi 300 mijë euro, ndërsa akuzat e tjera për grabitje dhe trafik droge. Akuza e fundit është për vjedhje në disa dyqane në një qendër tregtare.

NËNA E POLICES SË ARRESTUAR

Nëna e polices praktikante, e cila dyshohet se punonte me kreun e 2 prej 3 bandave kriminale që jetonin në konviktet e vjetra të Universitetit Politeknik, është shprehur se e bija “nuk ka lidhje me ta”. Ajo i ka rritur e vetme 3 fëmijët e saj pasi bashkëshorti, i cili po ashtu punonte në radhët e Policisë, ka ndërruar jetë 18 vite më parë. I ati i 22-vjeçares, e cila duhet të betohet të shtunën e ardhshme, ka shërbyer për dekada në Polici. Ndërkohë, e ëma e polices praktikante është shprehur se e bija është dashuruar me një shqiptar dhe se të dy e duan njëritjetrin. “Ajo u njoh me B…, një djalë i mirë me origjinë shqiptare që e do vërtet.

Marrëdhënia e tyre filloi përpara se vajza ime të hynte në shkollën e Policisë”, tregoi nëna e 22-vjeçares, teksa shtoi:

“Nuk jua fsheh që isha e shqetësuar, por duke folur me fëmijën tim, kuptova që kjo është një marrëdhënie me ndjenja të pastra nga të dyja palët, ndaj nuk pashë ndonjë arsye serioze për të ndërhyrë. Ndoshta ajo gjeti diçka teka ai që e bënte të ndihej e sigurt.

Tani nëse ky fëmijë rrinte me njerëz që bënin gjëra të paligjshme, kjo është diçka që nuk e di, por përsëri po ju them, as ai dhe as vajza ime nuk kanë lidhje me atë që i atribuohen”. Policia greke ndërmori një operacion për kapjen e tre bandave që kishin bazën e tyre në konviktet e vjetra studentore në Universitetin Politeknik.

Ata kanë hyrë edhe në banesës e polices praktikante rreth orës 10:00 të mëngjesit të së martës.

“Vajza ime ishte duke fjetur në atë moment. Më pyetën nga Policia nëse e dija që vajza ime kishte dy celularë dhe i thashë po. Njëri nga dy celularët ishte i lidhur me Wifi dhe e përdorte vetëm për të parë filma, asgjë më shumë”, shtoi e ëma.

E pyetur nëse e dinte që vajza e saj ndoshta po komunikonte nëpërmjet celularëve me anëtarë të bandave të përfshira në rastet e trafikut të drogës dhe u jepte informacion për lëvizjet e policisë, nëna e saj u shpreh:

“A ka mundësi që një person në provë, të jetë në dijeni të lëvizjeve të punonjësve të Policisë? Dhe për t’i informuar se kur do të ketë bastisje apo nuk e di çfarë? Si fillim, vajza ime nuk ka shërbyer në Zografou, por në Galatsi dhe në Trafik”.

Burime policore thonë se ajo i ka dhënë informacione për operacione të policisë anëtarëve të bandës.

“Ajo më bëri të qartë se nuk kishte asnjë lidhje me gjithë këtë dhe se nuk kishte folur me askënd të përfshirë. Unë e besoj atë”, përfundon e ëma e 22-vjeçares.