“Erdhi me dëshirë, kemi pasur lidhje dashurie”- Ersida Dyrmishi e akuzoi se e mbajti peng në hotel dhe e përdhunoi, autori dyshuar mohon akuzat! Bashkëshorti 30-vjeçares flet për gjendjen e saj

Ersida Dyrmishi, e cila rezultonte e zhdukur prej disa ditësh, është gjetur. 30-vjeçarja ka deklaruar se është mbajtur peng nga Marjus Musaku në një hotel në Durrës dhe sipas denoncimit të saj, i riu e ka përdhunuar nën kërcënimin e një thike dhe duke e kanosur për jetën e familjarëve të saj.

E reja ka bërë denoncimin në policinë e Durrësit së bashku me bashkëshortin e saj, T. D, 37-vjeç, i cili kishte ngritur alarmin për zhdukjen e bashkëshortes më datë 25.07.2022.

32-vjeçari Marjus Musaku, i cili ka rënë në prangat e policinë ka mohuar pretendimet e Ersida Dyrmishit se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të.

Ai ka deklaruar se e Ersida Dyrmishi kishte shkuar me dëshirën e saj dhe se më herët kanë pasur një histori dashurie.

Ndërsa bashkëshorti i saj në një prononcim për News24 ka treguar se 30-vjeçarja ndodhet në banesë në gjendje të mirë shëndetësore, por nuk ka pranuar të japë më shumë detaje.

Njoftimi nga Policia Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, shtetasin M. M., 32 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pas kallëzimit të shtetasve T. D., 36 vjeç dhe E. D., 30 vjeç (bashkëshortë), banues në Durrës, të cilët mbrëmjen e djeshme kanë denoncuar se shtetasi M. M. i ka hequr lirinë në mënyrë të paligjshme shtetases E. D., duke e mbajtur me forcë për disa ditë në një hotel, e ka detyruar për të bashkëjetuar dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të, nën kërcënimin e një thike dhe duke e kanosur për jetën e familjarëve të saj.

Shtetasja E. D. ishte shpallur e humbur, pasi më datë 25.07.2022, në Komisariatin e Policisë Durrës, bashkëshorti i saj, shtetasi T. D. ka kallëzuar se ajo ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.