Verë e nxehtë, këto janë këshillat që jep kardiologu për të shmangur sëmundjet e zemrës

Rritja e temperaturave ka një ndikim të lartë në shtimin e sëmundjeve të zemrës, kardiologu Andri Çabeli në një intervistë televizive jep disa këshilla për t’i shmangur këto.

Mjeku u shpreh se ekspozimi ndaj temperaturave, si të ulëta dhe të larta shoqërohet me rritje të numrit të rasteve, sipas një studimi të kryer në Shqipëri.

“Të gjitha studimet në botë thonë se ekspozimi ndaj temperaturave, sidomos të ulëta çon në rritje të numrit të rasteve të personave që mund të pësojnë sulm në zemër. Këtu në Shqipëri, sipas një studimi që është bërë, kemi vënë re që ekspozimi qoftë ndaj temperaturave të larta, qoftë ndaj temperaturave të ulëta është shoqëruar me rritje të bumit të rasteve. Rritja e temperaturave tani mund të bëhet shkak për rritje të numrit të rasteve.

Pjesa e popullatës e cila është në risk, sidomos të moshuarit rekomandohet që të shmangin ekspozimin ndaj temperaturave të larta, kur kapin pikun gjatë ditës.

Nuk duhet të neglizhohen dhe të nënvlerësohen simptomat që mund të jenë kardiake sepse kjo mund të çojë në diagnostikim të vonshëm ose komplikime të mëtejshme”, tha Çabeli.

Sipas mjekut Çabeli vërehet një rritje e pacientëve në mosha të reja. Faktorët kryesorë që ndikojnë në sëmundjet e zemrës janë duhan-pirja, hipertensioni si dhe historitë familjare.

“Sëmundjet e zemrës prekin moshat e avancuara, pas të pesëdhjetave. Faktorët e rrezikut janë duhan-pirja, hipertensioni, diabeti, historia familjare pra nëse ke një të afërm të shkallës së parë që ka pasur sëmundje të zemrës. Ajo që vihet re është një shtim i pacientëve në mosha më të reja. Sëmundjet kardio-vaskulare janë shkaku i parë i vdekshmërisë. Arsyeja lidhet me faktin që janë sëmundjet më të shpeshta dhe duke u hasur shumë shpesh në total përbëjnë numrin kryesor të vd3kshmërive”, shtoi më tej kardiologu.

Mjeku bën thirrje për personat e rrezikuar që të shmangin ekspozimin ndaj temperaturave të larta dhe të mos neglizhojnë simptomat.

“Personat të cilët janë të rrezikuar ndaj sëmundjeve kardio-vaskulare duhet të shmangin ekspozimin ndaj temperaturave të larta, metodat e vetë-shpëtimit kardio-vaskular duhet të njihen jo vetëm nga mjekët por nga popullata në shkallë të gjerë. Njerëzit kur kanë simptoma nuk duhet t’i neglizhojnë dhe duhet të paraqiten te mjeku”, u shpreh Çabeli.