Futbollisti 23-vjeçar mbyll karrierën për t’i dhuruar 70% të mëlçisë nënës së tij: Ajo më dha jetën, unë ia zgjata…

Robert Peric-Komsic është futbollist 23-vjeçar, të cilit iu desh ta ndalonte karrierën për t’i dhuruar një pjesë të mëlçisë nënës së tij. Historia ka prekur botën e sportit, sepse ai kishte një kontratë profesionale për të përmbushur. Mirëpo, ai nuk u interesua fare për karrierën, sepse personi që i kishte dhënë jetën ishte në rrezik.

Lojtari profesionist kishte kontratë me ekipin kroat të Kategorisë së Dytë, por ai humbi 70% të mëlçisë dhe iu desh të largohej nga ky sport për shkak se nëna e tij, Liljana, kishte refuzuar transplantet e tjera, kështu që kishte nevojë urgjente për një donator që të mund të mbijetonte.

Kështu, djali i saj duhej të bënte sakrificën e madhe. “Jeta e saj ishte në rrezik, stomaku i mbushej me ujë dhe humbja e jetës ishte çështje ditësh. Në momentin që e kuptova se të gjitha opsionet e tjera ishin shteruar, i paketova gjërat e mia dhe fluturova për në Stamboll…”, – tha 23-vjeçari për mediat lokale.

Futbollisti nuk dëshiron të trajtohet si hero, pasi ka bërë vetëm atë që, siç nënvizon, duhet të bëjë çdo njeri për një qenie që e do aq shumë dhe aq më tepër, nëse është nënë. “Mos e konsideroni histori heroizmi, bëra atë që mendoja se do të bënte kushdo që është rritur në një familje funksionale. Nëna ime më dha jetën, unë ia zgjata asaj”, – shtoi 23-vjeçari.

Nëna e Robert Peric-Komsic ishte e sëmurë për 13 vite, kështu që pas dhurimit të mëlçisë së djalit të saj, cilësia e jetës do t’i përmirësohet ndjeshëm. Padyshim një akt i denjë për admirim dhe duartrokitje, sepse duhet të kemi gjithmonë të parën personin që na solli në këtë botë, nënën.