Turqia kërcënon Kosovën: Jeni në telashe me ne

Vijojnë akuzat dhe përplasja në distancë mes Kosovës dhe Turqisë për gylenistët. Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu ka deklaruar sot se Kosova nuk mund të shpëtohet nga vorbulla në të cilën ka rënë, raporton Anadolu Agency. Ai kërcënon se Kosova me veprimin që bëri u fut në telashe.

Kosova hyri në telashe. Pse hyri në telashe? Pse u larguan nga detyra? Ndërsa jemi shteti i dytë që njohu Kosovën pas SHBA-ve dhe jemi duke luajtur një politikë aktive në botë për njohjen e Kosovës. Presidenti ynë kurdo që ka ndonjë shtet që nuk e ka njohur Kosovën, në bisedën e tij me kryeministrin, presidentin e atij vendi ia kujton këtë.

Këtë e bëjmë sepse i besojmë kësaj. Marrëdhëniet me Serbinë janë të shkëlqyera. Pika e vetme në të cilën nuk mund të pajtohemi është Kosova. Me Serbinë i zhvilluam marrëdhëniet duke e marrë Kosovën në kllapa. Me Serbinë duam në çdo aspekt të zhvillojmë marrëdhëniet, ashtu edhe me gjithë. Por pse Kosova? Më së shumti ne investojmë. Jemi në vendin e tretë. Ka dy shkaqe; e para FETO. Kanë infiltruar në pikat më të thella të çdo institucioni. Pse i larguan nga detyra disa? Ja njëri prej atyre që erdhi, rrëfeu: Jemi duke i shkolluar fëmijët e atyre, prandaj. I marrin fëmijët e tyre, i marrin fëmijët e elitës.

Në rast se Kosova nuk mund të shpëtohet nga kjo vorbull ku ka rënë, bëhet shtet nën kontrollin e FETO-s. Jemi të detyruar si Turqi t’i tregojmë këto të fakte. Nuk i pranojmë as fjalimet që i bëjnë ndaj Turqisë. Përgjigja e miqësisë, vëllazërisë dhe mbështetjes nuk duhet të jetë kjo. A jeni miku i dy pabesëve, ose i Turqisë? Ne gjatë historisë kemi qenë mik dhe vëllezër. Edhe pas kësaj do jemi kështu. Duhet të pastrohen pabesët nga vendi jonë dhe nuk duhet të lejojmë që të marrin peng marrëdhëniet tona.

Shpresoj që Kosova të pastrohet nga këta të pabesë. Vëllezërit tanë kosovarë të gjejnë paqe, por pa marrë parasysh, qoftë në Kosovë qoftë në ndonjë vend tjetër nuk do të lejojmë strehimin e tradhtarëve ndaj nesh. Kjo nuk është përzierje në punët e brendshme të tyre. Kosova nuk duhet të strehojë në vendin e saj tradhtarët që kanë bërë grusht shteti në Turqi. Kjo është ajo që presim nga miku. Shpresojmë se pas kësaj Kosova ndërmerr hapa të përgjegjshëm dhe bën atë që kërkon miqësia dhe vëllazëria.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu

Reagimet e Turqisë erdhën pas deklaratave të Kryeministrit Ramush Haradinajt dhe Kadri Veselit se Presidenti i Turqisë po përzihet në punët e Kosovës, pasi deklaratës së fortë të Ergodan kundër qeverisë aktuale të Kosovës. Për rastin e ekstradimit të gylenistëve, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Driton Gashi. Erdogan kritikoi ashpër Haradinajn, duke thënë se ai “do të paguajë” për këto qëndrime.