Shpërthim i fuqishëm pranë ambasadës ruse në Tiranë

Një shpërthim ka nodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm pranë një biznesi në Tiranë.

Bëhet fjalë për një fast-food që ndodhet pranë ambasadave ruse dhe zvicerane, në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.

Sipas kalimtarëve shpërthimi ishte shumë i fuqishëm.

Nga informacionet paraprake raportohet se bëhet fjalë për shpërthimin e një bombule gazi në brendësi të dyqanit që ka sjellë plagosjen e një personi dhe ka shkaktuar mjaft dëme materiale.

Nga shpërthimi i fortë ka mbetur i plagosur pronari i dyqanit, 50-vjeçari me inicialet Sh. P, i cili ka marrë plagë të shumta në trup dhe ndodhet në pavionin e djegieve plastike në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Shpërthimi ka ndodhur kur pronari i fast food ka hapur dyqanin në mëngjes.

Dyqani ishte mbushur me gaz dhe në momentin kur ai ka hyrë brenda ka ndodhur shpërthimi, duke e lënë të plagosur.

Rrjedhja e gazit në dyqan ka ndodhur gjatë natës dhe si pasojë e shpërthimit të mëngjesit të sotëm ka patur dëmtime të vogla materiale edhe në një pjesë të bizneseve pranë shpërthimit.

Duke qenë se vendi ku ndodhi shpërthimi ishte pak metra larg ambasadës ruse dhe asaj zvicerane, policia u alarmua fillimisht dhe rrethoi zonën.

Njoftimi i policisë

Me date 08.04.2018 rreth orës 07:00, në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ibrahim Rugova”, në një pike shitje ra zjarr.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe Zjarrfikësja, te cilat kanë konstatuar se në një byrektore kishte rënë zjarr.

Shkak paraprakisht dyshohet rrjedhja e gazit.

Për pasojë është dëmtuar pronari i subjektit shtetasi Sh.P., 50 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave.