Shpërndanin drogë nëpër shkollat e kryeqytetit, pranga 3 të rinjve

Tre të rinj janë arrestuar nga policia e Tiranës për shpërndarje droge nëpër shkolla. Ata janë Gentian Kurti 25 vjeç, Marko Bano 19 vjeç, Xhulio Koprencka, 23 vjeç, të tre banues në Tiranë.

“Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin aktivitet të kundraligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike, kanabis sativa kryesisht pranë shkollave 9 vjeçare në zonën e “21 Dhjetorit”, sqaron policia.

Gentian Kurtit, në momentin e ndalimit në rrugën “Babe Rexha”, gjatë kontrollit fizik i janë gjetur dhe sekuestruar 10 copë qesesh farmaceutike me bimë kanabis, gati për hedhje në treg.

Ndërsa në banesën që kishin marrë me qira, policia arrestoi Marko Bano dhe Xhulio Koprencka. Ata merreshin me përgatitjen e kësaj lënde narkotike, të cilën e ndanin në doza. Atyre iu gjetën dhe sekuestruan 801 gramë bimë kanabis, si dhe një peshore elektronike./tvklan.al