Rinis puna për ndërtimin e sporteleve në Kalimash

Kur kanë kaluar dy ditë nga protesta e dhunshme në ‘Rrugën e Kombit’, kompania koncesionare ka nisur punën për rindërtimin e sporteleve në Kalimash. Prej 72 orësh terminali ishte jashtë shërbimit dhe automjetet kanë kaluar pa pagesën 5 €.

Punonjësit e kompanisë koncesionare në “Rrugën e Kombit” janë rikthyer ditën e sotme në Kalimash për të rindërtuar sportelet e terminalit ku do bëhet pagesa e taksës së rrugës.

Dy ditë pas tubimit të dhunshëm ku u shkatërrua dhe u dogj stacioni i pagesës, kompania s’ka humbur kohë dhe ka rinisur punën për të rivënë në funksion sportelet ku do të paguhet taksa prej 5 euro. Për aktet e dhunës të shtunën, policia ka arrestuar 23 persona si dhe ka shpallur në kërkim 20 të tjerë. Protestuesit akuzohen për tubim të paligjshëm, ushtrim dhune dhe kundërshtim të forcave të policisë si dhe për shkatërrim prone.

Nga ana tjetër banorët e Kukësit kanë paralajmëruar se nuk do lejojnë ngritjen e traut në “Rrugën e Kombit” nëse ata nuk përfitojnë lehtësira nga tarifa e lëvizjes së automjeteve përgjatë autrostradës.