Rama: Nuk merrem me opozitën. Problemi im, zgjidhja për Kukësin

Kryeministri Edi Rama në përfundim të Konferencës së Partive Socialiste Europianë, që u mbajt ditën e sotme në Tiranë theksoi se në konferencë u diskutua për rekomandimin e hapjes së negociatave për anëtarësim. Ai tha se Shqipëria pret rekomandimin e hapjes së negociatave për anëtarësim.

Por sipas kryeministrit, procesi i afrimit me BE ka një tjetër anë të medaljes për Shqipërinë; që BE të mbajë fjalën dhe të liberalizojë vizat për të gjithë kosovarët.

I pyetur lidhur me akuzat e opozitës, Rama e ka anashkaluar këtë çështje duke thënë se në prani të anglishtfolësve nuk flet për opozitën.

Ndërsa lidhur me çështjen e protestës për tarifën në Rrugën e Kombit, Rama u përgjigj shkurt se shqetësimi i tij i vetëm është çfarë do të bëjnë konkretisht për njerëzit që jetojnë në Kukës.

“Problemi im sot dhe këtyre ditëve ka qenë zgjidhja që duam dhe do i japim atyre që janë realisht subjekt i sistemit të pagesës dhe patjetër që në fund do të vlejë se ç’do të bëjmë për njerëzit që jetojnë në Kukës. Kurrë flas anglisht, nuk flas për opozitën e vendit tim”, tha Rama.

Ndërkohë, Presidenti i PES, Sergei Stanishev u theksoi në fjalën e tij se, “jemi këtu me mesazhe të mira politike për shqiptarët”. Ai vlerësoi reformën në drejtësi dhe bëri thirrje për bashkëpunim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Jemi këtu me mesazhe të mira politike për shqiptarët. Gjatë javëve të ardhshme do të kemi ngjarje mjaft të rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por të gjithë Ballkanin Perëndimor. Është bërë një reformë shumë e vështirë. Sistemi i drejtësisë do të jetë transparent. Ky është një kredit vetëm i zotit Rama dhe e PS. Duhet të përgëzohet edhe fushata kundër kanabisit dhe ky është një moment shumë i rëndësishëm. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i rajonit, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Unë mendoj se bashkëpunim me Malin e Zi është zhvilluar shumë. Ka pasur progres edhe me Greqinë dhe duhet të vazhdohet edhe me vendet e tjera. Shumë vende kanë thënë se nuk do të kemi më zgjerim nëse ka probleme komisioni, por në fakt nuk është kështu. Falë përpjekjeve të Mogherinit, sigurisht që ne kemi një strategji të besueshme, e cila është një tregues shumë i qartë për mënyrën se si ne duhet të ecim përpara”, tha Presidenti i PES, Sergei Stanishev.

4 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)