Protesta e biznesit, Basha: Rama i vuri TVSH-në për të favorizuar oligarkët

Edhe pse nuk gjendej vetë personalisht në krah të sipërmarrësve të vegjël, që sot unifikuan qëndrimin e tyre përballë qeverisë, që ka vendosur t’i përfshijë në skemën e TVSH-së, Lulzim Basha e ka shprehur mbështetjen me anë të një postimi në Facebook.

Duke vlerësuar maksimalisht uljen e qepenave në mbarë vendin, Basha shprehet se “futja e biznesit të vogël në TVSH është goditje që i bëhet biznesit, ekonomisë, dhe vetë Shqipërisë”. Për të, opozita e ka të qartë se janë “sipërmarrësit e vegjël motori i çdo ekonomie dhe shoqërie, pasi ata krijonë punësim, sjellin zhvillim dhe mirëqenie”.

“Sipërmarrësit e vegjël treguan sot në mbarë vendin se ata nuk do të heshtin para arbitraritetit, nuk do të lejojnë që bizneset dhe mundi i tyre të grabitet nga Edi Rama dhe klientët e tij. Ata duan një Shqipëri ku ka mundësi, ku ka konkurrencë të ndershme, ku ka drejtësi. Kjo Shqipëri do të jetë realitet vetëm kur politika të mos jetë e kapur, kur Shqipëria të çlirohet nga oligarkia politike dhe ekonomike. Ky është vizioni dhe vullneti i Partisë Demokratike”, shprehet Basha.

Kryedemokrati argumenton më tej se “nuk ka asnjë arsye ekonomike, asnjë arsye publike për vendimin e Edi Ramës kundër biznesit të vogël”.

“Ka vetëm dy arsye private: favorizimi i oligarkëve dhe krijimi i kushteve për koncesionin privat të TVSH-së”, thekson Basha, duke ripërsëritur edhe njëherë denoncimin e PD-së për “nderin” që sipas tyre Olsi Rama do të përfitojë nga vëllai kryeministër.