Policia e Korçës plan masash për Pashkët, patrullime dhe agjentë në terren

Të gjitha komisariatet e policisë së qarkut të Korçës kanë hartuar një plan masash për të përballuar të gjitha situatat e pakëndshme në prag të festës së Pashkës. Në mënyre të veçantë Korça dhe Pogradeci kanë vëmendjen më të madhe nga ana e drejtorisë vendore të policisë ku pritet që fluksi i vizitorëve të jetë më i madh.

Burime zyrtare pranë drejtorisë vendore të policisë së qarkut bëjnë me dije se në 24 orë do të ketë shtim të patrullave të policisë së qarkullimit jo vetëm në aksin kryesor nacional Qafë Thanë-Kapshticë  por edhe në zonat turistike.

Gjithashtu shtim patrullash do të ketë përgjatë këtyre ditëve edhe në bulevardet e kryqëzimet kryesore në qytet. Patrullimet do të vazhdojnë përgjatë 48 orëve të ardhshme me të njëjtin intensitet.

Burime zyrtare thanë gjithashtu se do të ketë patrullime edhe nga agjentë të policisë kriminale dhe policisë së rendit sidomos në afërsi të lokaleve ku mund të ketë përqendruar turistë. Kjo me qëllim që të sigurohet qetësia dhe të shmangen incidentet në këto ditë festive në qytet.