PD-LSI shkatërrojnë protestën/ Tregtarët e irrituar përzënë deputetët

Pjesëmarrja e deputetëve të PD-së dhe LSI-së në protestë ka irrituar tregtarët. Shumë prej tyre edhe pse kishin 1001 arye për të protestuar dhe ishin në të drejtën e tyre për të refuzuar taksën, nuk  i kanë ulur  qepenat, vetëm për shkak të politizimit të protestës së tyre.

Madje, disa deputetë, i kanë përzënë nga protesta e tyre.

“Çfarë do që vjen këtu? Ku ishit ju më përpara kur u rritën taksat”, i janë drejtuar tregtarët e Tregut Ushqimor deputetit demokrat Halim Kosova,  i cili është detyruar të largohet.

Përplasje ka pasur dhe me Aldo Bumçin, Florion Mimën e Jorida Tabakun, ndërsa deputeti i LSI-së, Brahimllari, është përplasur edhe fizikisht me tregtarët.

Por nuk ka qenë vetëm politizimi i protestës, ajo që ka shtyrë shumë tregtarë të mos ulin qepenat.

Shumë prej tyre kanë pasur edhe frikë nga tatimorët, ndaj nën zë thonë se nuk iu bashkuan protestës.

Në Lushnje bizneset nuk e kanë mbështetur protestën një orëshe për mbylljen e dyqaneve, kundër skemës së TVSH-së.

As në “Rrugën e Kavajës” në Tiranës, shumë biznese nuk iu përgjigjën thirrje për të mbyllur qepenat.  Pyetjes se përse nuk i mbyllën qepenat, tregtarët iu përgjigjën se nuk besojnë dhe nuk duan të përdoren politikisht. Edhe në “Tregun Ushqimor” ku përzunë Halim Kosovën, tregtarët kanë qenë të ndarë.