PD e terrorizuar nga SPAK, plan për luftë të dytë kundër reformës në drejtësi

Partia Demokratike shumë shpejt do të nisë një luftë të dytë kundër reformës në drejtësi. Një vit më parë pati ankimimet të shumta në Gjykatën Kushtetuese të disa ligjeve, gjë që solli zvarritje të procesit për muaj e muaj me radhë.

Mirëpo demokratët janë duke u përgatitur për të dërguar në gjykatë dhe një sërë ligjesh të tjera, të ndihmuar dhe nga gjyqtarët dhe prokurorët. Momentalisht Gjykata Kushtetuese është e bllokuar, sepse ka mbetur me 5 anëtarë, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është duke kryer vetingun për anëtarët e saj, ndërsa dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po punon bashkë me Presidencën dhe Kuvendin për të plotësuar vendet vakante.

Por sapo kjo gjykatë të bëhet funksionale, gazeta ka mësuar se PD do të ankimojë disa ligje, ku më kryesori është ai për organet e sistemit të drejtësisë, ku përfshihen KLGJ dhe KLP.

Sipas burimeve të sigurta të gazetës “Sot”, PD ka bërë gati ankimimet për të gjitha ato ligje kur Kushtetuesja nuk është shprehur dot për shkak të mungesë së votave. Rasti më i fundit është ankimimi i Kodit të Procedurës Penale, ku shumica e gjyqtarëve ishin pro rrëzimit të disa neve por nuk u siguruan 5 vota.

Ky ligj bashkë me shumë të tjera mund të sjellin rrëzimin e reformës në drejtësi. Mësohet se PD po planifikon të ankimojë disa nene sa i takon përzgjedhjes së anëtarëve të KLGJ dhe të KLP, pasi ka pakënaqësi ndaj emrave që u përzgjodhën nga Kuvendi. Frika më e madhe e demokratëve duket se është SPAK.

Dje ishte deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili deklaroi se PS, përmes KLGJ dhe KLP do të kapë organet që do luftojnë korrupsionin. KLGJ dhe KLP janë dy organet që do të përzgjedhin anëtarët për në SPAK dhe demokratët akuzojnë mazhorancën dhe kryeprokuroren Arta Marku se po indimidojnë procesin. Pra sinjalet janë se sapo të fillojë puna për ngritjen e SPAK, gjithçka mund të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese.