Opozita ndez motorrët, javën tjetër rinisin protestat

Dje shumë shqiptarë iu bashkuan thirrjes së opozitës për të bllokuar 4 nyjet kryesore në vend. Protesta mbaroi pa incidente, policia i vëzhgonte në distancë. Se çfarë do të ndodhë më pas e ka bërë të ditur Lulzim Basha: “Vendimi u mor. Opozita e bashkuar do të vazhdojë të protestojë”. Por në respekt të Pashkëve ortodokse deri të hënën e ardhshme nuk do të ketë protesta. Ato rinisin të martën, e 10 Prillit.

“Ne, në bashkëpunim me sipërmarrjen e vogël, me fermerët, dhe natyrisht në solidaritet total me kuksianët dhe gjithë qytetarët e Shqipërisë që refuzojnë padrejtësinë dhe grabitjen, do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha aktet e mosbindjes qytetare dhe protestës e cila do të shtrihet në mbarë Shqipërinë”, tha më tej ai.

“Janë ngritur njerëzit të cilët kanë parë se do tu 5 fishohet taksa e pronës pa asnjë shpjegim dhe do ta paguajnë edhe këtë në faturën e ujit dhe dritave. Prandaj qytetarët kanë reaguar sot.“Opozita i falenderon nga zemra dhe i garantoj të gjithë qytetarët se do të vazhdojmë të jemi në krahun tuaj. Nuk kemi asnjë mision tjetër dhe detyrë më të rëndësishme e të madhe se të jemi në krahun tuaj”, u shpreh Basha.

Duket se kjo kohë pushimi për besimtarët ortodoksë do ti shërbejë edhe vete opozitës për të bërë përgatitjet për protestën e radhës.