Në Rrugën e Kombit mund të lëvizni falas edhe për të paktën 60 ditë

Përmes një korrespondence që kompania IFC i ka dërguar ministrit Edmond Haxhinasto në vitin 2013 paraqiten tre skenarë për mënyrën si do të mirëmbahet rruga “Milot-Morinë” .

Kompania konfirmon se skenari tretë i zgjedhur nga qeveria Berisha parashikonte një pagesë nga 8-9 euro dhe ka rezultuar e dështuar. Për ministrin Gjiknuri sot janë po këta njerëz që kundërshtojnë një tarifë që është më e ulët nga ata që vetë kishin preferuar.

Damian Gjiknuri: Këta njerëz, pavarësisht se bënë një gropë të madhe financiare. Ndërtuan një rrugë jashtë mundësive të xhepave tonë. E lanë përgjysmë, tentuan të bëjnë me koncesion me tarifën 8.5 euro-9 euro. Ky ishte dokumenti i miratuar nga qeveria Berisha.

Duke llogaritur dëmet e stacionit të pagesës në miliona euro ministri i Infrastrukturës sqaroi dhe një herë lehtësirat që kontrata parashikon për banorët e zonës.

Damian Gjiknuri:Për zbutjen e efekteve sociale dhënien e 120 mijë eurove, plus vënien e një tarife që quhet abone. Mbase qeveria për shkaqe politike e sensibiliteteve të caktuara mund të kërkojë dicka më shumë dhe këtë rrisk nuk e merr kompania private por qeveria.

Për momentin ajo që dihet është se deri në rivënien e kabinave të pagesës kalimi do të bëhet pa pagesë.

Damian Gjiknuri: “Nuk po paguhet se u shkatërrua ajo pjesë. Do ringrihet do kohën e saj. Mbase do të dojë një periudhë 60 ditore minimalisht”

Dhënia me koncesion e Rrugës së Kombit cilësohet sipas qeverisë e vetmja mundësi për ta përfunduar dhe për ta mirëmbajtur pasi buxheti i shteti nuk ka mundësi të mbulojë kostot.