Në hetim për bllokimin e rrugëve/ Monika Kryemadhi nuk i trembet ligjit: Në Tiranë jam, s’më trembin

Monika Kryemadhi sfidon publikisht pas procedimit të nisur nga prokuroria për bllokimin e rrugëve të enjten në shenjë proteste kundër tarifës në “Rrugën e Kombit”. Gjatë një takimi me aktorët e Teatrit Kombëtar, Kryemadhi tha se nuk frikësohet nga hetimi, ndërsa “njoftoi” se në Tiranë ndodhet. Kryetarja e LSI përsëriti se drejtësia, sipas saj, është e kapur politikisht.

“Mua nuk me shqetëson fare procedimi penal, e vetmja gjë që është që kur të bëjmë atë formularin e dekriminalizimit do ta deklarojmë që jemi proceduar penalisht nga Prokuroria e Edi Ramës. Sistemi i drejtësisë vërtet është në duart e një grupi njerëzish të cilët do të kenë probleme me drejtësinë e tyre midis njëri-tjetrit dhe më pas do të kenë probleme me drejtësinë e shqiptarëve.

Sado që të jetë investuar financiarish dhe politikisht për të kapur këtë sistem drejtësie, sistemin e drejtësisë nuk e kap dot askush sepse është populli që vendos drejtësinë më të madhe. Mua nuk më gjykon dot as Edi Rama, as ambasadorët, as Brukseli as Amerika, mua më gjykojnë shqiptarët dhe me votë. Gjykimi i tyre për mua është jo vetëm qesharak, për mua ka vlerë vetëm gjykimi i shqiptarëe.

Ashtu siç kam hyrë 17 vjeç në politikë për ëndrrat e mia për ta pasur Shqipërinë një vend Europian, ashtu do të dal dhe nga politika, por do dal nga politika vetëm kur Shqipëria të jetë europiane. Nuk kërcënon dot Edi Rama, nuk kërcënon dot as Arta Marku, as Fatmir Xhafaj, as policia e drogës, as policia e shtetit dhe as policia e diktaturës. Unë këtu jam, rrugëve të Tiranës jam, si të duan, ndaç me polici ndaç pa polici, Monika Kryemadhin e kanë në këmbë me çizme dhe pa çizme.

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI