Ndërron jetë shqiptari në Itali

Ka ndërruar jetë në spitalin e Pizës pas tre javësh në gjendje kome emigranti shqiptar Astrit Gërdeci 45 vjeç, i martuar dhe me fëmijë.

Vdekja ka ardhur nga plagët e rënda të marra në kokë pas një grindje me kolegun e punës shqiptarin Zihni Cullhaj 24 vjeç. Astrit Gërdeci pas sulmit të dhunshëm ka pësuar një hemoragji të brendshme e ka hyrë në gjëndje kome. Ngjarja ka ndodhur ditën e 8 marsit në komunën e Bientinas në provincën e Pizës në një punishte druri ku ishin punësuar të dy shqiptarët.

Pas një grindje për motive të dobëta, Astrit Gërdeci është goditur dhunshëm në fytyrë dhe kokë nga 24 vjeçari shqiptar.

Ngjarja ka ndodhur në momentin e ndërrimit të turnit dhe nuk ka qënë i pranishëm asnjë nga kolegët e tjerë të punës. Zihni Cullhaj, autori i këtij sulmi të dhunshëm, pritet të akuzohet për vrasje të qëllimshme por jo e paramenduar. Prokuroria ka kërkuar kryerjen e autopsisë së viktimës për ngritjen e plotë të akt akuzës.