Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi: Do të vijojë mosbindjen civile derisa Rama të tërhiqet

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ se protestat e opozitës do të vijojnë deri në momentin që Rama të tërhiqet nga tarifa për Rrugën e Kombit dhe taksa për biznesin e vogël. Kryemadhi u shpreh se koncesioni për tarifën për Rrugën e Kombit nuk është firmosur nga ministrat e LSI.

“Edhe policia edhe prokuroria ndjekin urdhrat për procedimet, është mesazh për qytetarët që të mos dalin në rrugë, por unë mendoj që kjo gjë nuk ndalet sepse tashmë shqiptarët e ndiejnë, nesër do të jetë biznesi i vogël në protestë. Nëse do burgosen 39 deputetët, Rama do të shkojë drejt dhënies me koncesion edhe policisë dhe burgjeve. Një banor më tha kur isha në Bradashesh, që të japin me koncesion edhe lindjen e fëmijëve”.

“Koncesionin ministrat e LSI nuk e kanë firmosur. Ajo ka edhe probleme të tjera. Rama duhet të ishte shumë transparent me qytetarët. Ne paguajmë njëherë taksën e qarkullimit, pse të paguajmë dy herë. Do të vijojë mosbindjen civile derisa Rama të tërhiqet nga taksa për biznesin e vogël, tarifa për Rrugën e Kombit dhe rikthimi i familjeve të varfra në ndihmën ekonomike. Kanë filluar edhe gjobat nga taksidarët dhe cdo të kemi ne në fund, një kaos, një shpërngulje”.

Monika Kryemadhi

Presidenti Meta pak ditë më parë u shpreh se është kundër thirrjeve të opozitës për mospagim taksash, por Kryemadhi thotë se nuk pranon që të debatojë me kreun e shtetit, ndërsa shton se mosbindja civile është ilaçi më emergjent kundër Ramës.

“Pse do të paguajë populli taksa për xhelatin e tij? Nuk dua të debatoj me presidentin, ai ka mendimet dhe qëndrimet e tij, unë jam deputete, kryetare e një parti. Ne kemi marrë një vendim me PD për thirrjen e popullit për mosbindje civile. Mosbindja civile është ilaçi më emergjent, që Rama t’i thërrasë mendjes. Por a është e kënaqur opozita me pjesëmarrjen në protestën e parë? Ishte shumë e mirë, pasi një reagim të jashtëzakonshme, në Elbasan pati mbi 3 mijë protestues, pati edhe biznese. Opozita është unifikuar”.

Monika Kryemadhi