Kaliforni, disa të plagosur me armë zjarri pranë selisë së “Youtube”

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar pasditen e kësaj të marte në SHBA, shumë pranë selisë së rrjetit social “Youtube” në San Bruno, në veri të Kalifornisë. Zyrtarë të Shëndetësisë thanë për median lokale “KTVU” se kanë pritur një fluks pacientësh me armë zjarri, por pa dhënë detaje të hollësishme.

Policia njoftoi përmes “Twitter”-it se ishte duke iu përgjigjur një rasti të mundshëm agresioni me armë, ndërsa edhe autoambulancat shkuan shpejt në vendngjarje. Publiku në zonën përreth u paralajmërua të qëndronte sa më larg ndodhive.

“Google”, kompania që zotëron edhe atë “Youtube”, njoftoi se kishte nisur hetimet mbi një “incident të mundshëm me armë zjarri”.
Ndërkohë, një pjesë e stafit të “Youtube” reaguan online duke thënë se agresori që kishte shtënë me armë ishte në arrati, por kjo nuk konfirmohet nga policia. Nga sa raportohet, kemi të bëjmë me një agresore femër, që jozyrtarisht thuhet të jetë kapur.

Punonjësi Todd Sherman tha se njerëzit po arratiseshin nga ndërtesa, nga paniku. Ndërsa një tjetër punonjës, Vadim Lavrusik kishte shkruar më herët se ishte bllokuar në një dhomë, por për fat të mirë ishte evakuuar.