Gjykon edhe me pesë

FLORJAN KALAJA

Gjykata Kushtetuese, sipas Kushtetutës, ka gjithsej 9 anëtarë. Ajo gjykon në kolegj me 3 gjyqtarë, në Mbledhjen e Gjyqtarëve, në dhomë këshillimi dhe në seancë  gjyqësore me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve. Megjithatë, sot efektivisht Gjykata Kushtetuese ka 5 gjyqtarë. Natyrshëm lind pyetja, nëse mundet të gjykojë Gjykata Kushtetuese me përbërjen efektive që ka sot, apo jo. Ka një kontrast ndërmjet asaj çka Kushtetuta nënkupton dhe asaj që ligji organik i Gjykatës Kushtetuese e thotë në mënyrë eksplicite.

Kjo çështje shqetësim dhe shumë e debatuar në opinionin publik ka marrë vetëm përgjigje negative, duke konkluduar se ligji kërkon detyrimisht kuorum prej minimumi 6 gjyqtarësh në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të gjykojë. Por para se opinioni publik të bindet për këtë përgjigje, vlerësoj se është e nevojshme të analizohet kuadri kushtetues dhe ligjor në fuqi, në mënyrë që të kuptohet bazueshmëria e këtij konkluzioni, ndoshta të papeshuar mirë. Neni 133 i pandryshuar i Kushtetutës parashikonte se: “1. Pranimi i ankesave për gjykim vendoset nga një numër gjyqtarësh, siç përcaktohet me ligj. 2. Gjykata Kushtetuese vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve të saj”.

Neni 133 i ndryshuar në vitin 2016 i Kushtetutës parashikon se: “1. Pranimi i ankesave për gjykim vendoset nga një numër gjyqtarësh, siç përcaktohet me ligj. 2. Gjykata Kushtetuese merr vendim përfundimtar me shumicën e të gjithë anëtarëve të saj, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj”.

Sikurse dallohet nga leximi i kujdesshëm, ajo që nuk ka ndryshuar me ndryshimet kushtetuese është fakti se pranueshmëria e kërkesave për gjykim në Gjykatën Kushtetuese vendoset, jo nga e gjithë trupa gjyqësore, por nga disa gjyqtarë dhe se numri i tyre përcaktohet në ligj. Nga kjo kuptohet se, edhe para edhe pas ndryshimeve kushtetuese, ligji kishte autorizimin e Kushtetutës për të caktuar numrin e gjyqtarëve që do të përbënin kolegjin që do të vendosnin rast pas rasti, nëse një kërkesë pranohet apo jo për gjykim.

Sikurse me ligjin e pandryshuar të Gjykatës Kushtetuese edhe me ligjin e ndryshuar, kolegji i pranueshmërisë së kërkesave për gjykim përbëhet nga 3 gjyqtarë. Njëlloj i pandryshuar ka mbetur numri i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ajo që ka ndryshuar në nenin 133 të Kushtetutës është paragrafi i dytë i nenit 133. Për shkak se në vitin 2007 Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e gjeti Shqipërinë me shkelje të së drejtës së aksesit në gjykatë (Marini v. Albania, 2007), për arsye se Gjykata Kushtetuese nuk merrte dot vendim nëse votat pro apo kundër nuk arrinin minimumi numrin e 5 gjyqtarëve, pika 2 e nenit 133 të Kushtetutës ndryshoi llojin e rezervës për të përcaktuar numrin minimum dhe të domosdoshëm të gjyqtarëve vendimmarrës në Gjykatën Kushtetuese.

Më parë, parashikohej si një rezervë e paderogueshme kushtetuese se numri i gjyqtarëve i domosdoshëm për vendimmarrje është minimumi 5 në çdo rast. Pas ndryshimeve kushtetuese, rezerva kushtetuese u bë rezervë ligjore dhe u përcaktua se si rregull numri i domosdoshëm i gjyqtarëve vendimmarrës në Gjykatën Kushtetuese duhet të jetë 5, përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe.

Ky ndryshim, nën logjikën e të gjithë zgjidhjeve të reja kushtetuese me karakter zhbllokues dhe mundë- sues të funksionimit të institucioneve kushtetuese, i la mundësi ligjit që të zgjidhë me formula alternative eventualitetet kur votat e gjyqtarëve ndahen në mënyrë të barabartë, apo nuk arrin dot shumicën e domosdoshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.

Ndryshimet e ligjit, që hynë në fuqi në mars të 2017, parashikuan zgjidhjen zhbllokuese të premtuar nga Reforma në Drejtësi, duke vendosur se, nëse votat e gjyqtarëve ndahen në mënyrë të barabartë apo nëse nuk arrihet shumica e domosdoshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh, atëherë do të konsiderohet se kërkesa është rrëzuar. Nga neni 133 i Kushtetutës, i vjetër dhe i ndryshuar, nuk ka asnjë të dhënë se sa është kuorumi i domosdoshëm i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që ky institucion të mundet të ushtrojë juridiksionin e tij.

Me këto të dhëna që japin dy paragrafët e nenit 133, konkludohet se vlera e “X”-it, domethënë kuorumi, duhet të jetë në çdo rast jo më pak se sa shumica vendimmarrëse e domosdoshme, që do të thotë 5 gjyqtarë. Por ky konkluzion kushtetues duket të jetë i papajtueshëm me ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese. Pika 1 e nenit 32 të këtij ligji parashikon se: “1. Gjykata Kushtetuese shqyrton çështjet në seancë plenare me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por në asnjë rast të jo më pak se të dy të tretave të tyre”.

Kjo dispozitë ligjore kërkon detyrimisht që gjykimi në seancë gjyqësore i çështjeve të bëhet me minimumi 6 anëtarë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, duke u shndërruar sakaq në një lloj norme amenduese e Kushtetutës dhe jo një detajim i rregullave të saj në një ligj organik. Pikërisht në këtë pikë qëndron kontrasti ndërmjet Kushtetutës dhe ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese. Nga njëra anë, leximi i Kushtetutës të çon në konkluzionin se shumica e domosdoshme e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese është edhe kuorumi i saj, që do të thotë minimumi 5 gjyqtarë.

Nga ana tjetër, ligji organik i Gjykatës Kushtetuese parashikon se minimumi i gjyqtarëve që kjo gjykatë duhet të ketë në mënyrë që të gjykojë në seancë plenare duhet të jetë 6. Kjo do të thotë se sot, me përbërjen efektive të Gjykatës Kushtetuese, sipas Kushtetutës, ajo mundet të gjykojë pranueshmërinë e kërkesave për gjykim, gjykimet në Mbledhjen e Gjyqtarëve, gjykimet në dhomë këshillimi dhe seancë plenare. Ndërkohë, sipas ligjit organik Gjykata Kushtetuese, mundet të gjykojë vetëm pranueshmërinë e kërkesave dhe, nën një interpretim thjeshtë literal, por jo teleologjik, ndoshta mundet të gjykojë në Mbledhjen e Gjyqtarëve dhe në dhomë këshillimi.

Nga analiza e mësipërme, duke pasur parasysh se Kushtetuta është ligji më i lartë dhe themeltar i shtetit dhe se çdo akt tjetër normativ i duhet vetëm t’i bindet asaj pa kushte, konkludoj se konkluzioni i marrë si i mirëqenë, edhe nga përfaqësuesit e vetë Gjykatës Kushtetuese, edhe nga kushdo tjetër që mendon njëlloj, është vetëm ligjor, por kurrsesi kushtetues. Konkluzioni kushtetues është se Gjykata Kushtetuese mundet të gjykojë edhe me 5 gjyqtarë, duke ushtruar të gjitha detyrat kushtetuese që ka. Natyrshëm lind pyetja, se çdo të bëhet me nenin 32 pika 1 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese që konkludon ndryshe?

Sjell në vëmendje se, Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës, pasi kështu ka vendosur populli shqiptar në momentin kur, ndër të tjera, miratoi me referendum edhe nenin 124, pika 2 të Kushtetutës. Për rrjedhojë, konkludoj se ligji para Gjykatës Kushtetuese nuk mundet të jetë ligj sikurse para institucioneve të tjera, por thjesht një fakt dhe, si i tillë, objekt gjykimi mbi drejtësinë kushtetuese. Sikurse ligji nuk mundet të jetë mbi Kushtetutën, ashtu edhe ligji nuk mundet të rregullojë ndryshe çështjet që nga interpretimi i Kushtetutës dalin se janë rregulluar ndryshe.

Gjykata Kushtetuese, në gjykimin më të parë që do të ketë në ditët në vijim, do të duhet të shquajë kontrastin e nenit 133 të Kushtetutës dhe nenit 32, pika 1 të ligjit organik dhe më tej duhet të konfirmojë supremacinë normative të Kushtetutës, duke e shfuqizuar këtë dispozitë ligjore apo duke e lënë të vegjetojë si të pazbatueshme dhe duke zbatuar drejtpërdrejt nenin 133 të Kushtetutës.

Vlerësoj se, edhe numri i domosdoshëm i shumicës vendimmarrëse të gjyqtarëve, edhe numri i domosdoshëm i kuorumit janë parashikime të nenit 133 të Kushtetutës që zbatohen drejtpërdrejt, që do të thotë se zbatimi i tyre nuk kushtëzohet nga asnjë ligj. Për rrjedhojë, konkludoj se Gjykata Kushtetuese mundet të gjykojë edhe me 5 gjyqtarë.

*Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë