FBI mësyn në zyrat e avokatit të Trump

Mësohet se FBI ka mësyrë në zyrën e avokatit personal të presidentit amerikan Donald Trump, Michael Cohen.

Byroja Federale e Hetimit mësyu në zyrën e Cohen gjatë ditës së sotme dhe sekuestroi dokumenta që kanë lidhje me disa çështje, përfshi edhe pagesën prej 130 mijë dollarësh për të cilën ai kishte pajtuar aktoren e filame porno Stormy Daniels disa ditë përpara zgjedhjeve, raporton The New York Times.

Daniels tha se pagesa ishte “para heshtjeje” që kishte për qëllim që t’ia kyçnin gojën asaj lidhur me tradhtinë e mundshme me Trumpin.

Avokati i Cohen tha se hetuesit e FBI kishin marrë një mandat kontrolli pas autorizimit nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.

Trump tha javën e kaluar se ai nuk kishte dijeni për pagesën. Cohen dhe Daniels janë përballur në një betejë ligjore lidhur me marrëveshjen.

Daniels, emri i vërtetë i së cilës është Stephanie Clifford, ngriti një padi muajin e kaluar duke pretenduar një mosmarrëveshje për atë që ishte nënshkruar për sa i takon tradhtisë së dyshuar, duke e konsideruar si të pavlefshme duke qenë se Trumpi nuk e nënshkroi asnjëherë.