Dhuna në Kuvend/ Përjashtohen 6 deputetë dhe ministri Bushati

Byroja e Kuvendit ka vendosur që të përjashtojë për 10 ditë nga punimet 6 deputetët e opozitës dhe ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati për dhunën sot në seancën plenare. Pas diskutimeve në mbledhje, vendimi u mor vetëm me praninë e deputetëve të shumicës, pasi opozita u largua.

Deputetët e opozitës që u përjashtuan për 10 ditë janë Edi Paloka, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Ervin Salianji nga Partia Demokratike dhe Braimllarit e Mehmetajt nga LSI. Deputetët e opozitës hodhën miell, vezë dhe letra në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe ministrave në seancën e sotme.

Gjithashtu deputetët e LSI mbanin pankarta ofenduese ndaj Ramës. Ndërkohë që ministri Bushati u përjashtua, pasi pas sulmit të opozitës reagoi duke hedhur ujë në drejtim të deputetëve demokratë dhe të LSI. Edhe pse kërkoi falje, kryetari i Kuvendit Ruçi kërkoi përjashtimin e tij nga punimet e Kuvendit për 10 ditë dhe kërkesa u miratua në Byro pasditen e sotme.

Debatet në Byronë e Kuvendit

Paloka-Hysenit: Kam bërë burg për politikë, po kurrë për vjedhje pronash
Flamur Noka: Solla miell nga kuksianët e mia, sepse ata aq mundësi kishin, mbase Rama do miell tjetër
Ervin Salianji: Keni prova ose fakte që vërtetojnë demin tim? Kemi dëgjuar që vetëm mielli e sjell në vete, e futëm në kuvend. I kam futur tek e tek.
Endrit Braimllari: Kryeministri ofendoi rëndë shqiptarët. Frazat e Ramës juve ju duken poezi por ato janë ofendimet më të rënda që i bëhen popullit. Shqiptarët janë provokuar nga Edi Rama duke i krahasuar me organ gjenital. Ky kryeministër e ka humbur te drejtën legjitime për të drejtuar tani cdo gjë i mbetet në dorë popullit. Ministri i Jashtëm është sjellë si një ordiner. Provokoi rendë opozitë duke i hedhur ujë

Deklaratat e deputetëve pas daljes nga Byroja e Kuvendit

Ervin Salianji: Shqipëria po zien dhe po vlon, nesër do të protestojnë fermerët

Droga e Kolumbisë po e shkatërron Shqipërinë, duhen kapur ata, dhe jo 11 të arrestuarit nga Kukësi. Vendimi për ne është i ditur, hyra për t’i thënë shokut Gramoz janë formale në një parlament ilegjitim, mund të marrë vendime për të na dënuar me vdekje, apo për të internuar në kampin e Tepelenës. Nëse do të ishte për Rucin dhe Ramën nuk do të ishim në parlament, por pas telave me gjemba. Shqipëria po zien dhe po vlon, nesër do të protestojnë fermerët.

Dhuna në Kuvend, Brahimllari: Opozita ka të drejtë që të bëjë ç’të dojë

Para një jave nuk përjashtoi Ramën nga parlamenti edhe pse i trajtoi shqiptarët si organ gjenital, ne që jemi aty për t’i thënë që bërë gabim, përjashtohemi, ajo ç’ka është e rëndësishme është hera e dytë që ministri i Jashtëm sillet si një rrugaç, hedh shishen e ujit. Opozita është në të drejtën e saj që të bëjë ç’të dojë, pasi Rama provokoi. Populli nuk ndalet më në cdo cep të Tiranës dhe Shqipërisë. Parullat fyese në Kuvend? Ajo parullë nuk është asgjë para asaj që bëri Rama. Ndjesa e Bushatit? Është bërë e qartë për këtë qeveri, Rama provokon, del e kërkon falje, Bushati provokon dhe kërkon më pas falje….

Klevis Balliu: Qeveria të hapë veshët dhe të dëgjojnë

E vetmja gjë që kërkon është rregullorja të jetë e njëjtë për të gjithë. Për Ramën nuk është marrë asnjë marrë, kjo është absurde. Nëse unë kam thyer rregulloren, i mirëpres masat, por rregullat duhet të jenë njëlloj për të gjithë. Ajo që ne bëmë ishte irritimi i qytetarëve pas arrestimit të 11 kukasianëve, që janë heronj dhe të dekorohen dhe jo arrestohen. Lufta do të jetë edhe jashtë edhe brenda parlamentit. Veza dhe mielli janë mjete demokratike. Ajo që nuk është parë kurrë është që një ministër të Jashtëm të qëllojë me ujë. Falja e Bushatit? E kërkoi edhe Rama po kuksianët janë në burg. Qeveria të hapë veshët dhe të dëgjojnë, taksat janë të pabaza.