Deputeti i PS: Thirrja e Bashës, antikushtetuese!

Deputetët e Partisë Socialiste i kanë cilësuar si antikushtetuese dhe banale thirrjet e Lulzim Bashës për mosbindje civile. Paulin Sterkaj, përsa i përket tarifës së Rrugës së Kombit, tha se banorët e Kukësit duhet që të lehtësohen nga tarifa.

“Thirrja e Bashës është antikushtetuese. Tarifa 5 euro? Nuk jam ekonomist. Rruga duhet mirëmbajtur, por edhe banorët e Kukësit duhet të lehtësohen nga kjo tarifë. Thirrja për mosbindje civile bëhet për interesat personale’

Prononcimi i deputetit te PS, Paulin Sterkaj

Edhe deputetja Ermonela Felaj i dënoi thirrjet e Lulzim Bashës për mosbindje civile.

“Mosbindja civile, thirrje banale! Thirrja shkon në ndesh me interesat e një vendi”.

Deklarata e Ermonela Felajt

Pas arrestimit të 23 personave për protestën e dhunshme në Rrugën e Kombit dhe 20 të tjerëve që janë në kërkim, krerët e opozitës, Lulzim Basha i PD dhe Monika Kryemadhi e LSI deklaruan mbrëmë se brenda kësaj jave nis mosbindja civile dhe protesta masive në të gjithë vendin. Basha dhe Kryemadhi iu kanë bërë thirrje qytetarëve të mos paguajnë asnjë taksë dhe të bashkohen në protestë, që sipas tyre, do të jetë me të gjitha format.