Deklarata e fortë e Ministrit të Brendshem: Grupe brenda dhe jashtë vendit tentojnë të destabilizojnë Shqipërinë

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka deklaruar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv se grupe brenda dhe jashtë vendit po tentojnë të destabilizojnë vendin.

Protesta e Kalimashit, ju thatë se kishte elementë me të shkuar kriminale. Personat e arrestuar i referohen kësaj deklarate…

Të bëjmë një dallim mes atyre që protestuan për një të drejtë të ligjshme, për një shqetësim, banorëve të qytetit të Kukësit, që kishin pasur dhe një dakordësim me policinë, me ata që e shfrytëzuan protestën për të ushtruar dhunë ndaj forcave të policisë dhe për të dëmtuar pronën publike dhe pronën e një biznesi të ligjshëm në veprimtarinë e tij.

Ky dallim është shumë i rëndësishëm. Në deklaratën time kam folur për të drejtën e ligjshme që kanë qytetarët për të protestuar dhe detyrimin e policisë për t’ua garantuar këtë të drejtë. Policia ishte aty për këtë gjë, ajo çfarë ishte në shkelje të ligjit, të së drejtës edhe të atyre qytetarëve, ishte fakti se një grup njerëzish në mënyrë të papërgjegjshme, shkuan përtej kufijve që lejon ligji. Ne besoj policia bëri detyrën në këtë rast, në kufijtë e mundshëm të situatës konkrete.

Policia me shumë qetësi e profesionalizëm shmangu përplasjen që dëshirohej mes individëve të caktuar mes policisë dhe qytetarëve. Ky tubim u iniciua nga këshilli bashkiak i Kukësit dhe kur në krye të një tubimi janë këshilltarët e atij komuniteti, dhe forcat e policisë ishin të përgatitur dhe nuk kishin forca shtesë. Kishte dakordësi për kufijtë ku do zhvillohej protesta dhe për mënyrën paqësore. Ajo që ndodhi nuk besoj që nuk është pjesë e kërkesës apo dëshirës e atyre njerëzve që kishin dalë aty, por prapavijë e një grupi tjetër, që dëshironin ta shfrytëzonin kërkesën e ligjshme në një konfrontim mes policisë dhe banorëve. Polica shmangu një përplasje të kësaj natyre.

Prapavija është politike, opozita ka dashur tensionin dhe krimin politik në këtë moment. Opozita ka gjetur rrugine gabuar për të adresuar problemet, për të vendosur komunikimin dhe për të përfaqësuar njerëzit që mendon se i përfaqëson dhe që dëshiron të rrisë tensionin politik.

Nga informacioni që keni a ka pasur tentativë për të destabilizuar vendin?
Duhet të bëjmë dallim mes protestës s ligjshme dhe dëshirës për të protestuar dhe interesit që mund të kenë grupe të caktuara brenda dhe jashtë vendit për të destabilizuar vendin. Për të destabilizuar vendin padyshim që ka interesa, që do dëshironin të krijonin destabilitet, brenda dhe jashtë vendit.

Ka pasur një rrezik të shtuar në javët që lamë pas, forcat e policisë, agjencitë ligjzbatuese në vend, shërbimi sekret, agjencitë partnere kanë përballuar më së miri disa ngjarje që nëse do ndodhin do kishin pasoja.