Degradon mbledhja në Kukës, demokratët përplasen me Spahon: Komunist i vogël s’je me Bashën këtu, protestuam edhe kundër hajdutëve të LSI-së

Mbledhja  e opozitës që po zhvillohet në Kukës është përfshirë nga një debat i ashpër.
Mësohet se sapo është hapur mbledhja nga kryetari i  degës, Arif Rexhmati janë kërkuar të ngrihen dy pika.
E para situata aktuale, dhe e dyta  qëndrimi që deputeti demokrat i Qarkut të Kukësit, Flamur Noka ka mbajtur në parlament , duke thënë se organizohet një protestë nga mbështetës të Edi Ramës, nga njerëz të paguar nga ai.
Në këtë moment ka ndërhyrë drejtuesi i mbledhjes që është edhe kreu i grupit parlamentar të PD –së Edmond Spaho, i cili ka kërkuar që pika e dytë të mos diskutohet  nga  kreu i degës për shkak, se kjo ishte një çështje e brendshme dhe atje  ishte mbledhur e gjithë opozita, përfaqësues të PD dhe LSI –së, pra nuk ishte  një mbledhje e kryesisë së PD –së.

Pas kësaj kërkëse, kreu i degës së PD –së, Kukës, Arif Rexhmati është tërhequr, ndërkohë që ish-kryetari i degës Ibsen Elezi, ka reaguar mjaft ashpër ndaj Spahos, duke i folur me tone të ashpra dhe duke i kërkuar që në rast se nuk pranon  që të diskutojë të çohet dhe të largohet nga Kukësi.

“Nuk ua mbyll dot ti gojën demokratëve kuksianë. Akuza  që bëhet ndaj tyre, se janë të përdorur nga Edi Rama është një  turp dhe skandal dhe për këtë duhet dikush të përgjigjet “, ka  thënë Elezi në mbledhjen e Opozitës.
Burime për CNA.al bëjnë me dije se debati është përshkallëzuar më tej, ndërsa Elezi i ka kërkuar Spahos  që të largohet nga mbledhja.

“Ti je një komunist i vogël, nuk je këtu me Lulzim Bashën, por je me demokratët kuksianë. Këtë sjellje, këtë arrogancë dhe këtë mënyrë veprimi, mund ta përdorësh vetëm  kur je me  Lulzim Bashën dhe jo me ne.  S’i keni bërë llogaritë mirë, këtu me ne do të japësh përgjigje deri më një. Nuk na pengon ti, ne çfarë të themi. Nuk mund të sillesh si komunist i vieteve 40 , që t’i bëjmë mbledhjet siç do ti.

Në qoftë se ke ardhur me këtë mendje, çou dhe ik, qërohu dil jashtë, se mbledhjen e bëjmë vetë, s’kemi nevojë as për ty dhe  as  as  për ata që ke marrë me vete. S’e bëre as ti protestën, as ata, e bëmë ne.  Ne e bëmë për këta të LSI që kanë vënë taksat, këta hajdutë që i keni sjellë këtu me vete që nuk mbledhin dot pesë vota”, ka thënë më tej Elezi në mbledhjen e Opozitës.