Berisha: Ambasadorja Vlahutin i ka kërkuar Llallës arrestimin tim

Ish-Kryeministri Sali Berisha tha mbrëmjen e së enjtes në ABC News se Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin i ka kërkuar ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla arrestimin e tij.

Zoti Llalla i ka thënë Presidentit të Republikës, Bujar Nishani se zonja ka ardhur në zyrë dhe ka kërkuar arrestimin e Sali Berishës. Unë në fakt e kisha marrë vesh këtë fillimisht nga ambasadorë të huaj, por as nuk e kisha vlerësuar, as se kisha vu fare. Kur para se t’ia thoshte Adriatiku presidentit Nishani, të paktën një vit më përpara, i thotë njërit se ajo, me fjalë zhvlerësuese për të, por unë nuk e kisha vlerësuar. Tani a e besoj unë atë? 100 përqind“, tha Berisha.

Ish-Kryeministri tha se Vlahutin u ka thënë ambasadorëve të tjerë të BE-së se Berisha mund ta përgjonte, duke qenë se të dy i kanë zyrat në të njëjtën ndërtesë, pranë Pallatit të Kongreseve.

Se kur ke fiksime dhe komplekse, atëherë nuk di të ndalesh. Çfarë ka bërë kjo zonja që e di nga burimet? U thotë një ditë para disa muajsh ambasadorëve të BE-së, hiqini telefonat se këtu nja katër kate më poshtë është Sali Berisha dhe na regjistron. Tani, që një ambasadore të thotë kështu ka dy arsye. Ose është e sëmurë dhe ka obsesione, sëmuret çdo njeri. Që t’i thotë mendja asaj se Sali Berisha mund të na përgjojë, ajo duhet të ketë një ‘berishofobi’ 10 herë më të madhe se Edi Rama dhe kjo është një gjë e turpshme. Ose pastaj ajo bën një provokacion aq banal, sa ka pasur prej atyre që edhe kanë qeshur.

Berisha tha se fakti që beson se Vlahutin i ka kërkuar Llalës arrestimin e tij, nuk mund ta bëjë të besojë të njëjtën gjë për Ambasadorin Donald Lu për arrestimin e Ilir Metës.