BASHA ULUR KËMBËKRYQ ME TË SHOQEN NË AUTOSTRADË, RAMA KËRKON NDJESË NGA KUVENDI DHE DUARTROKITET

Kreu i PD Lulzim Basha i shoëruar nga bashkëshortja e tij Aurela Hoxha është ulur këmbëkryq në autostradën Tiranë-Durrës duke vënë në plan skenarin për mosbindje civile.

Sakaq, Kuvendi ka nisur i pashqetësuar seancën plenare me deputetët e mazhorancës nga ku ka marrë fjalën kryeministri Edi Rama i cili u ka kërkuar ndjesë banorëve të zonës për taksën në Rrugën e Kombit. Rama tha se qeveria ishte e papërgatitur për atë që do shkaktonte kjo risi siç e cilësoi ai.

“U kam kërkuar ndjesë publike banorëve të zonës dhe do ua kërkoj deri në fund por jemi nisur thjesht nga praktika ndërkombëtare dhe dukeqenë një eksperiencë e parë s’kemi qenë mjaftueshmërisht të përgatitur për cfarë mund të krijonte një risi e tillë nga pikëpamja psikologjike nga njerëzit e painformuar sa duhet pastaj të vendosur në shenjestër të opozitës për t’u përdorur si mish për top për interesat e tyre”, tha Rama nga Kuvendi ndërsa shtoi se po vazhdon puna për zgjidhjen e kësaj problematike.

“Ne s’do fillojmë sistemin e pagesës pa dhënë zgjidhjen më të mirë për atë zonë”, premtoi kryeministri duke marrë duartokitjet e deputetëve të tij. “Ne ia detyrojmë këtë të gjithë njerëzve të asaj zone”, përforcoi shefi i qeverisë.