A do të ketë akse të tjera rrugore me pagesë në Shqipëri?

Kryeministri Edi Rama tha të enjten në “Opinion” se aktualisht qeveria nuk ka vendosur të taksojë rrugë të tjera në Shqipëri, por nëse në të ardhmen do të duhet që akse të veçanta të bëhen me pagesë, atëherë do të konsiderohen.

“Nuk kemi vendosur të taksojmë rrugë të tjera të Shqipërisë, kemi konsideruar një program, që vetvetiu të çon në konkluzionin që patjetër ka akse të tjera, për të cilat do të kontribuojnë kontribuuesit e tyre. Tarifat përcaktohen nga ekspertiza, nuk përcaktohet në tavolinë nga ne të dy. Sa mund të jetë? Po si mund ta di unë tarifën? Nuk kemi parashikuar asnjë aks ne.”

Kryeministri sqaroi se edhe rrugët që do të ndërtohen së shpejti, si rruga e Arbrit, aksi Thumanë-Kashar etj, do të jenë pa pagesë në hapje.

“Ne do të bëjmë Rrugën e Arbrit, nuk do ta bëjmë me pagesë. Ne do të bëjmë rrugën Milot-Balldre, nuk do ta bëjmë me pagesë. Ne do të bëjmë rrugën Thumanë – Kashar, nuk do ta bëjmë me pagesë. Tani këto nuk do t’i bëjmë me pagesë, do ti bëjmë me Partneritet Publik Privat, nëse në të ardhmen do të duhet vënë, atëherë ajo do të konsiderohet dhe do të vihet, por këto nuk janë të organizuara me sistemin e pagesës, o do t’i paguash me buxhet, ose me PPP ose me pagesë.”/klan