SKANDALI: 21 mln euro dëm shtetit, Gjiknuri kallëzon në Prokurori 3 ish-zyrtarët e LSI-së (emrat)

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përmbyllur procesin e auditimit të kryer pranë Agjensisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve mbi rregullshmërinë e ndjekjes dhe zbatimit të projektit “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”.
Grupi i auditimit ka konstatuar fakte dhe rrethana të paligjshme, që krijojnë bindje të arsyeshme se plotësojnë elementët e veprës penale: të “Shpërdorimit të detyrës”, të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Referuar rezultateve të auditimit, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri i është drejtuar Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me një kallëzim penal ndaj personave të mëposhtëm:
Të kallëzuar:
1. Ardian Alushi, ish Drejtor i Përgjithshëm i Agjensisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Tiranë, për gjithë periudhën e zbatimit të projektit: “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”.
2. Klevis Biçaku, ish Koordinator i projektit: “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, për periudhën shkurt 2014 – maj 2015, pranë Agjensisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Tiranë.
3. Albens Alite, ish Koordinator i projektit: “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, për periudhën Qershor 2015 – Tetor 2017, pranë Agjensisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Tiranë.
Si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, pasi veçmas dhe në bashkëpunim, kanë kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë ndjekjes dhe zbatimit të projektit “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, duke shkaktuar pasoja të renda për interesat e buxhetit të shtetit dhe të publikut si dhe kanë krijuar kushte për përfitime të padrejta materiale për subjekte të tjera juridike private.
Personat e kallzuar, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, me veprimet e mosveprimet e tyre, kanë shkaktuar dëm ekonomik për buxhetin e shtetit për shkak të rritjes së kostove të këtij projekti, duke favorizuar kontraktorin, supervizorin apo subjekte të tjera me të cilët janë nënshkruar kontrata për zbatimin e projektit, duke dëmtuar kështu rëndë interesat e ligjshme të shtetit shqiptar dhe të publikut.
Nga ana e ish Drejtorit të Përgjithshëm të AKUK dhe ish Koordinatorëve të këtij projekti nuk janë përmbushur detyrat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi në drejtim të vlerësimit, monitorimit dhe raportimit mbi zbatimin e projektit. Për rrjedhojë, janë shkaktuar pasoja të renda të kundraligjshme për buxhetin e shtetit, si dhe për shtetasit si pasojë mosperfundimi ne kohe i ketij projekti:
– Rritja e kostos së punimeve civile të projektit, në vlerën 1.027.291.019 JPY për shumën e situacioneve të paguara deri më 31.11.2017 dhe në vlerën 2.319.093.644 JPY deri në përfundim të projektit, vetëm si pasojë e ndryshimit të formulës për rregullimin e çmimit.
– Kosto shtesë në vlerën 10.988.195 JPY, si pasojë e rritjes të nivelit të paradhënies nga 20% në 25% të vlerës së kontratës, pas nënshkrimit të saj, jo në përputhje me standartin FIDIC.
– Është nënshkruar Kontrate për shërbim auditimi, në shumën 10,800 Euro, ose 1,603,967 JPY, me TVSH, në kundërshtim me përcaktimet e nenit 3, pika 7, seksioni 4, të Ligjit nr. 9964, datë 24.07.2008, për ratifikimin e “Marrëveshjes së huasë ndërmjet K. të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar”, duke rritur kostot e projektit.
– Është disbursuar për Supervizorin shuma prej 9,400,351 JPY, në zërin “Shpenzime ligjore”, në kundërshtim me kërkesat e marrëveshjes së huasë, të pajustifikuara dhe të padokumentuara, duke rritur kostot e projektit;