Hapen aplikimet për 500 kredi të buta

Bashkia e Tiranës ka rihapur programin e kredive të buta për familjet dhe çiftet e reja që duan të blejnë një shtëpi. Rreth 500 familje të pastreha do të kenë mundësi që të përfitojnë subvencionim të interesave të kredisë për blerjen e një banese.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, ku u miratuan një sërë projektvendimesh të rëndësishme, kryebashkiaku Erion Veliaj, deklaroi se programi për kreditë e buta ka qenë programi social më ambicioz që ka aplikuar ndonjëherë Bashkia e Tiranës, duke dhënë një model realist dhe efikas për zgjidhjen e problemit të strehimit në qytetin e Tiranës. Veliaj theksoi se përmes kësaj skeme, Bashkia e Tiranës u jep zgjidhje problemit të strehimit për çiftet e reja dhe njëkohësisht krijon mundësi reale për stimulimin e sektorit bankar.
“Ndonjëherë na duhet që të marrim të marrim vendime të vështira, por kemi marrë vendime të drejta dhe më vjen mirë që historia provoi që kishim të drejtë. Programi për kreditë e buta ka qenë programi social më ambicioz që ka aplikuar ndonjëherë Bashkia e Tiranës. E dini fare mirë që shkojmë nga qendrat e emergjencës, tek banesat sociale, tek bonusi i qirasë dhe kreditë e buta, si paketa të ndryshme që targetojnë shtresa të ndryshme të popullsisë, sipas kapacitetit financiar që ata kanë”, deklaroi Veliaj. Në total do jenë në dispozicion këtë fazë rreth 500 kredi me interesa të ulëta dhe që do të përfitohen nga familjet e reja që plotësojnë kriteret e përcaktuara.